Gjykata e Posaçme kthen dosjen e Adriatik Llallës për plotësim të hetimeve
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të enjten të rikthejnë për kryerje hetimesh të reja hetimore dosjen penale në ngarkim të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Ka qenë përfaqësuesi ligjor i Llallës, avokati Sokol Hazizaj ai i cili i kërkoi gjyqtares së seancës paraprake Irena Gjoka, që të rikthejë dosjen për rihetim. “Avokati kërkoi kryerjen e disa hetimeve të tjera dhe gjykata vendosi plotësimin e hetimeve”, njoftoi koodrinatorja për të drejtën e informimit pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Dinora Aleksi, e cila shtoi se seanca e radhës do të zhvillohet në nëntor.
BIRN mësoi nga një burim që nuk preferoi të identifikohej se avokati Hazizaj ka kërkuar që të kryhet verifikimi i të gjitha transaksioneve të pronave të Llalës që janë hetuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, për të konkluduar nëse ka fshehje ose fiktivitet. Gjithashtu, është kërkuar edhe thirrja e një dëshmitari që ka kryer një dhurim parash cash me rastin e lindjes së fëmijës së Llallës.
Ish-prokurori Adriatik Llalla ishte i paarritshëm për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.
Dy seancat e mëparshme kur pritej të shqyrtohej kërkesa e SPAK për gjykimin e Llallës u shtynë. E para për shkak të kërkesës së avokatit për t’u njohur me dosjen dhe seanca e dytë u shty për shkak të mungesës së gjyqtares Irena Gjoka për arsye shëndetësore.
Sipas SPAK-ut, ish-kryeprokurori Llalla ka kryer tre herë veprën penale të mosdeklarimit dhe fshehjes së pasurisë. Akuza e ngritur sipas nenit 257/a, parashikon dënime nga gjobë deri në 3 vjet burg.
Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar dhe u zëvendësua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.