img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/07/09

Ankimohet konfirmimi në detyrë i prokurorit Ludovik Dodaj

Komisioneri Publik Florian Ballhysa ankimoi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e konfirmimit në detyrë të prokurorit të apelit Durrës Ludovik Dodaj të enjten duke argumentuar se subjekti i rivlerësimit “nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë”.
Dodaj ka filluar punë si prokuror në Kukës në vitin 1983 dhe më vonë në Shkodër para se të fillonte punë në prokurorinë pranë gjykatës së Apelit Durrës në vitin 2002. Dodaj u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 8 qershor pa shumë probleme pasi komisioni gjeti vetëm probleme të vogla në burimet për gjetjen e parave për blerjen e një apartamenti në Durrës në vitin 2006 si dhe të kursimeve cash në sasi të konsiderueshme.
Komisioneri ngre pikëpyetje mbi paratë e deklaruara në vitin 2003 të Dodajt prej 2.2 milionë lekësh të mbajtura në shtëpi si para të thata dhe të krijuara me burim nga shitja e një shtëpie në Shkodër në masën 1.9 milionë lekë dhe shitjes së mobiljeve në masën 300 mijë lekë.
Komisioneri ngre gjithashtu pikëpyetje nëse subjekti kishte apo jo në dispozicion 25 mijë euro të paguara në vitin 2006 për blerjen e apartamentit në Durrës.
Komisioneri argumenton gjithashtu se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duket se ka shkuar përtej pretendimeve të subjektit për të justifikuar shpenzimet që nuk mbulohen dot nga të ardhurat e ligjshme të subjektit.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu